Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se si qeveri kanë marrë veprime që ndërhyjnë dhe ndikojnë ekonominë drejt barazisë dhe zhvillimit.
Kurti ishte pjesëmarrës në Javën e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit, Gratë dhe Pronësia Intelektuale: Nxitja e Inovacionit dhe Kreativiteti. Në fjalën e tij ai tha se detyrohen dhe obligohen t’i përkrahin gratë që insistojnë në biznes e zhvillim të projekteve, ato që janë në fillim të nismave të tyre.
Theks Kurti i ka kushtuar edhe dallimeve gjinore duke përmendur se gratë kanë pasur më shumë sfida gjatë përvojave jetësore e të karrierës. Me këtë rast ka shtuar se qeveria është duke ndërhyrë kudo që është e mundshme si, përmes edukimit në fëmijërinë e hershme, e ndarjen e bursave vetëm për vajzat studente në ato lëmi që kanë qenë të populluara kryesisht prej djemve studentë.
Njëkohësisht, kryeministri ka deklaruar se duhet eliminuar diskriminimi dhe pengesat e shumëfishta, të cilat krijohen duke u bazuar në gjini, por edhe në origjinën etnike e shoqërore, moshën apo edhe gjendjen social-ekonomike.












