Albin Kurti, aktualisht kryeministër i Kosovës, vazhdimisht ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj mënyrës se si është privatizuar prona publike e shtetërore në Kosovën e pas luftës.
Madje, në kritikën e tij, ai kishte përdorur jo rrallëherë një togfjalësh të njohur për publiku, duke e cilësuar privatizimin si “privatizim i egër neoliberal”.
Në një shkrim të vitit 2012, që vazhdon të jetë publik në faqen e LVV-së në Facebook, z.Kurti, që atëbotë ishte veç kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, shkruante se privatizimi i nxjerr njerëzit prej politikës dhe publikes.
“Kur privatizohet prona publike, qytetarët jo vetëm që e humbin të përbashkëtën e tyre por rritet hendeku midis institucioneve politike dhe qytetarëve. Privatizimi është ekskluziv: prona dhe ndërmarrja është e dikujt dhe e askujt tjetër. S’ka çfarë të flitet aty – të tjerët janë të përjashtuar. Sa më shumë privatizim, aq më pak diskutim. Dhe, para privatizimit mund të kritikosh. Pas privatizimit mund veçse të ankohesh.”, shkruante Kurti.

Shefi i tanishëm i ekzekutivit për privatizimin e fajësonte, përveç UNMIK-un, edhe njerëzit që sipastij e keqpërdornin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e luftën e viteve 1998–1999.
Në shkrimin titulluar “Liberalizmi njëkahor“, Kurti thoshte se menjëherë pas luftës ata “iu dhanë përftimeve vetjake”.
“Përveçse UNMIK-u me rregulloret dhe direktivat e tij, privatizimin në Kosovë, në fakt, e kanë nisur edhe ata që e keqpërdorën emrin e UÇK-së, duke shkruar nëpër prona: “UÇK, mos e prek!”, ose “UÇK, e zanun!”. ‘Mos e prek’, thua se bëhet fjalë për bombë; ndërkaq, ‘e zënë’, thua se bëhet fjalë për toalet. Pra, ata që menjëherë pas luftës iu dhanë përfitimeve vetjake nga prona e pasuria shoqërore e publike.”, shkruante tutje i pari i LVV-së.

Në postimin e 9 tetorit të vitit 2012, Kurti thoshte se kosovarët po shndërrohen në robër pa luftë.
“Infrastruktura është shërbim dhe jo prodhim. Ajo është në shërbim të prodhimit. Ama ky prodhim s’është yni. Prandaj ne jemi shërbëtorë, në shërbim të huaj. Dhe, kemi paguar shumë shtrenjtë që të jemi veçse shërbëtorë. Pra, ne nuk jemi shërbëtorë që paguhemi, por shërbëtorë që paguajmë (korporata të pasura nga buxheti ynë i përbashkët e i varfër). Ne paguajmë shtrenjtë që të shërbejmë. Çfarë borxhi paskemi kështu?! Nuk jemi as skllevër në një shtet skllavopronar. Skllevërit janë të punësuar. Ne jemi robër lufte pa luftë. E madje edhe në luftë ka rregulla, për dallim nga kjo paqja e Kosovës.”, vlerësonte Kurti.













