Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen me 9 shkurt.Por, ish zëvendëskryeministrja dhe ish kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, nuk preferon të japë parashikime për partitë në këto zgjedhje.
Mirëpo, sipas saj, qeveria s’do të mund të formohet pa koalicionin e dy partive.“Edhe vet kur kam dalë në zgjedhje, kurrë nuk e kam parashikuar ardhmërinë, por një gjë që po e shoh që ka gjasa të ndodhë, është që Kosova s’mund të ketë qeveri pa koalicionin e minimum dy partive”, thotë ajo në një intervistë për Gazeta Blic.
Megjithatë, Tahiri thekson se ka ardhur koha për ndryshime dhe vendit i duhet një qeveri pro amerikane, që do ta çojë Kosovën në ANTO.“Nuk preferoj e as nuk dua të bëhem e njëanshme. Unë e thash që ka ardhur koha për ndryshime. Dikur kur ishim ne në pushtet, populli kërkonte ndryshime dhe kishte të drejtë dhe erdhi Kurti dhe e pamë, edhe pse ishte një politikan e kalli Parlamentin e i bëri të gjitha dëmet, por erdhi e pamë. Tani mendoj se ka ardhur koha që të shkojë kjo qeveri dhe të vie një qeveri e re, të jetë pro amerikane dhe ta çojë Kosovën në NATO”, vlerëson ajo për Gazeta Blic.
Po ashtu, ajo potencon se Kurti më s’do t’i fitojë 50 për qind, derisa kujton premtimet e tij se s’do të ketë korrupsion dhe tani skandalet për korrupsion janë të vazhdueshme.“Për këtë rast, një ëndërr që i doli zhgëndërr Kurtit, ajo që fitoi 50 për qind. Kësaj radhe më s’mund t’i fitojë ato 50 për qind, sepse Kurtin nuk e njihnin para zgjedhjeve të kaluara, por tani e kanë parë, edhe në sondazhe, edhe në biseda ndërnjerëzore që i kemi, ata që e kanë adhuruar flaktë, e kanë parë që anija e Kosovës e ka humbur orientimin, s’po them që po fundoset por po luhatet aq keq sa që s’po mund ta arrijë cakun. Caku është anëtarësimi në BE, në NATO, të zhvillojmë vendin. Ky premtonte që s’ka korrupsion, skandalet e korrupsionit të Kurtit janë të njëpasnjëshme, ka ndodhur. Mandej punësimet dhe tani kanë filluar menjëherë punësimet e reja sepse po e dinë që po shkon kjo qeveri prej pushtet, vrap po bëjnë duke punësuar militantët e vet. Ekonomia ka rënë, çmimet e larta, rrogat e ulëta. Dikur Kurti thoshte do ta heq varfërinë, tani e ka bërë të varfër Kosovën”, vlerëson Tahiri.
Ajo e quan dyfytyrësi të Kurtit premtimin e tij për rritje të pagave nga janari, gjë për të cilën ai kishte kritikuar qeveritë e kaluara.“Pak a shumë dyfytyrësia e Kurtit ka dalë në shesh prej ditëve të para që e ka marrë pushtetin, tashmë veç sa e ka kristalizuar, këtë veprim me standarde të dyfishta, pra një ka thënë, tjetër po bën, pra hipokrizi politike që shumë me lider populist , sepse Kurti ka një populizëm por të dëmshëm, sepse ai kur flet për vesh, për ata që duan ta dëgjojnë sigurisht që kënaqen, por s’po mund ta shohin se çka po ndodh”, potencon ish kryenegociatorja.
Ajo ka treguar dhe për një takim me dy shqiptarë në diasporë dhe bisedën me ta për kryeministrin Kurti.Ndërsa, lidhur me mundësinë për t’u rikthyer në politikë dhe ofertat nga partitë, Tahiri thotë se kapitullin e saj politik e ka mbyllur në vitin 2017, kur u bënë 30 vjet nga veprimtaria e saj politike dhe atdhetare.
“Unë nga viti 2017 e kam mbyllur kapitullin politik timin, kur u bënë 30 vjet nga veprimtaria ime politike, atdhetare, kur e çliruam Kosovën, punova dhe ca vjet dhe e mbylla dhe mendoj që 30 vjet është mjaft për çështjen kombëtare, e arritëm ëndrrën e lirisë dhe pavarësisë prandaj nuk marr pjesë më, as oferta, as në zgjedhje”, përfundon Edita Tahiri.












