Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot do të qëndrojë për një vizitë punë në Turqi.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, bashkë me kryeministrin Kurti kanë udhëtuar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Qeveria s’ka treguar arsyet pse Haskuka, që tanimë publikisht nuk është se ka ndonjë funksion të rëndësishëm shtetëror, po udhëton me Kurtin në këtë takim.
Atje, kryeministri Kurti do të pritet në takim bilateral nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kanë njoftuar nga Kryeministria.
Agjencia e lajmeve Anadolu raporton se në takim do të shqyrtohen në aspekte të ndryshme marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Kosovës.
Më tutje, pritet të diskutohen edhe hapat e tjerë për thellim të bashkëpunimit si dhe çështjet rajonale e ndërkombëtare, me theks të veçantë në ato të Ballkanit.












