Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Albion Kumnovën, Artan Efendijën, Gëzim Deva, Lutfi Bunjakun, Bekim Bunjakun dhe Shkëlzen Binishin në 25-vjetoin e vrasjes së tyre.
Më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, hynë dhunshëm forcat e armatosura serbe.
“Nga aty rrëmbyen gjashtë burra e djem civilë: Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi. Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën”, shkroi Kurti në Facebook.
“Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni. Albioni ishte 21 vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia”, vazhdon më tutje Kurti.
I pari i qeverisë thotë se ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.













