Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim me rastin e Ditës së Flamurit.
Në një pritje të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Kurti tha para musafirëve se duhet ta shohim dhe dëgjojmë atdheun e Ismail bej Vlorës dhe Isa Boletinit, siç ata e shihnin dhe e ndjenin atë ditë.
“Ne nuk jemi popull historik i llojit pushtues, por jemi popull historik i llojit çlirimtar. Ajo që na lipset është një sfond botëror drejtësie. Duhet të punojmë posaçërisht për këtë” tha Kurti.
Duke parashtruar disa pyetje lidhur me gjendjen e shqiptarëve sot, ai tha se ne jemi popull historik.
“Ne do t’i japim siguri e paqe Ballkanit dhe Evropës nëse integrohemi sipas vështrimit të Ismail Vlorës dhe bashkëfirmëtarëve të tij. Nëse Kosova mbërrin synimin e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, shqiptarët do të jenë edhe më të integruar në vlerat e demokracisë perëndimore. Sepse ne besojmë në këto vlera, por për këtë arsye duhet të jemi më të zëshëm, më të njëzëshëm. Çdo 28 Nëntor duhet të masim bashkërisht cilësinë dhe forcën e këtij zëri” shtoi kryeministri.












