Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish rreth draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti deklaroi se nuk mund t’i bëjë publike kritikat e tij meqenëse draft-statuti i Asociacionit nuk është ende publik.
“Tash i përket ndërmjetësit evropian që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja se pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që ka akterë të ndryshëm që mezi presin që unë të bëj shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës. Sa për mua, le ta publikojnë, edhe draft-statutin, kësisojë të hapet rruga për të publikuar ne vërejtjet dhe kritikat tona”, deklaroi ai.
Në këtë deklarim për media në Prishtinë, Kurti komentoi po ashtu zhvillimet negative në Gjykatën Speciale në Hagë, ku është aprovuar pjesërisht kërkesa e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar për ndalimin e vizitave në Hagë te Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Kurti tha se është duke shikuar mundësitë, “sado të kufizuara” që të ndikojë në këtë rast.












