Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në New York në kujtim të vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, luftëtarë të Batalionit Atlantiku, shtetas amerikanë dhe dëshmorë të kombit shqiptar.
Në ceremoninë përkujtimore, Kurti ishte i shoqëruar nga familja Bytyqi, kryebashkiakja e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe kolegë e bashkëpunëtorë.
Kurti e cilësoi sakrificën e vëllezërve Bytyqi si një nga dëshmitë e përkushtimit të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara ndaj Kosovës.
“Vëllezërit Bytyqi, me veprat e tyre fisnike, përfaqësojnë vlerat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë”, shkroi Kurti.
Duke iu referuar rrëfimit të Ilir Bytyqit, Kurti përmendi burgosjen e tre vëllezërve, transferimin e tyre, torturimin dhe vrasjen, ndërsa trupat e tyre më pas u gjetën në varre masive.
Sipas Kurtit, rasti i vëllezërve Bytyqi mbetet një çështje që lidhet me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe me mungesën e përgjegjësisë penale, edhe 27 vjet pas vrasjes së tyre.
“Kalimi i kohës nuk e zbeh krimin dhe as nuk e shuan detyrimin për përgjegjësi”, u shpreh ai.
Kurti tha se Kosova, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë për Yllin, Agronin dhe Mehmetin Bytyqi.
Në fund, kryeministri shprehu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara dhe mërgatën shqiptare për mbështetjen ndaj Kosovës gjatë periudhës së luftës.
“Lavdi vëllezërve Bytyqi! Mirënjohje të përhershme Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mërgatës sonë, që në ditët më të vështira qëndruan krah Kosovës”, përfundoi Kurti.













