Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar mbrëmë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Zyra e Kurtit ka dhënë detaje rreth temave që u diskutuan në takim.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Presidentin Erdoğan për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij, në diplomaci sikurse edhe për fuqizimin tonë ushtarak, bashkëpunimin në vënien e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin në NATO.
Po ashtu, ai shprehu mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e Gjeneralmajor Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në vendin tonë.
Kosova dhe Turqia kanë vazhduar forcimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare me ç’rast ato arrijnë në vlerën prej 1 miliard dollarësh, me synimin që të rriten më shumë në të ardhmen. Po ashtu, janë rritur edhe investimet në Kosovë ku së fundmi kemi nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec, që janë në bashkëpunim me kompani nga Turqia”.
Në takim u fol edhe për vendimin e 16 shtatorit në Hagë sipas të cilit u dënuan me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.
“Në takim kryeministri Kurti diskutoi edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, thuhet më tej në njoftim.
Në përfundim të takimit, Kosova dhe Turqia shprehën gatishmërinë për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe tregtare.
Kurti e ftoi Erdoganin për një vizitë në Republikën e Kosovës.













