
Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës ka ndarë pamje nga festa ku u shënua 247-vjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pjesëmarrës ishte edhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti.
Nëpërmjet një komunikate për media, bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka uruar ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, me dëshirat më të mira për kombin amerikan, aleatin e madh të Republikës së Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ftuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, mori pjesë në shënimin e 247-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Kurti e uroi ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier për 4 Korrikun, me dëshirat më të mira për kombin amerikan, aleatin e madh të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, në festën e djeshme të mbajtur në Prishtinë ishin të pranishëm krerët shtetërorë, liderë opozitarë, deputetë të pozitës dhe opozitës, pjesëtarë të shoqërisë civile, gazetarë e anëtarë të partive.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalim në festën e organizuar nga Ambasada e ShBA-së për shënimin e 247-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por një udhërrëfyes për Kosovën.
Për dallim nga Osmani, kryeministrit Kurti nuk i është dhënë fjala, siç ka ndodhur zakonisht në festat e kaluara, kur të dy krerët e shtetit kanë mbajtur fjalime në ceremoni.
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e nisi fjalimin e tij duke cituar një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë pjesë të deklaratës thuhet se: “Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.
“Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, tha Hovenier.












