Kryeministri i Kosovës ditën e sotme ka shkuar në seancën plenare, me një pulovër të ngjashme me atë të Zelensky.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe sekretari PDK-së Betim Gjoshi i cili tha se kjo sjellje e tij është humbje në kohë duke krahasuar sjelljen e Kurtit ndaj ish-presidentit Thaçi.
“Kryeministër, Kosova nuk është në luftë dhe ky kopjim i yti është një sjellje që tregon se ke humbur në kohë. Jo vetëm kaq!
“Ti po e kopjon Presidentin e Ukrainës, por Presidentit të Kosovës i ke thënë: Hashim, shko në Hagë”, ka shkruar ai.
Tutje Gjoshi ka thënë se është urrejtja e Kurtit që nuk e lënë ta pranojë veprat e Thaçit.
“Ty nuk të lë urrejtja ta pranosh veprën heroike të Hashim Thaçit dhe shokëve të tij. Presidenti i Ukrainës është në ballë të një shteti të konsoliduar ushtarakisht dhe politikisht, ndërkohë Adem Jashari, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, e mijëra burra dhe gra të Kosovës janë ngritur në këmbë, duke qenë nën pushtim, dhe kanë arritur çlirimin dhe lirinë e popullit të Kosovës. Edhe diçka Kryeministër – se kush je ti na ke treguar vetë në këtë video të marsit të vitit 1998”,përfundoi ai.











