Neni 30 dhe 31 i Ligjit të ri për Shtetësinë, që po iu mundësojnë banorëve që ishin shtetas të Kosovës deri më 1 janar të vitit 1998 të rikthejnë shtetësinë e tyre, janë bërë kauzë për Lëvizjen Revolta.
Ky grup po pretendon se një numër i madh i serbëve kanë shfrytëzuar këtë ligj të ri për ta kthyer shtetësinë e Kosovës, shkruan Insajderi.
Organizatorët e kësaj proteste sot paraqitën kërkesa kryesore: publikimin e numrit të aplikimeve dhe shtetësive të fituara nga shtetasit e Serbisë sipas ligjit për shtetësinë, shfuqizimin e Ligjit nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe shfuqizimin e nenit 155 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kush është Lëvizja Revolta?
Ky grup përbëhet nga një numër i të rinjve, të cilët pretendojnë se elita aktuale politike nuk përfaqëson dinjitetshëm kërkesat e qytetarëve.
Prezente nëpër rrjete sociale, në postimin e parë të tyre ata para zgjedhjeve të 7 qershorit ata bënin thirrje që nëpër fletëvotime të mbishkruhej “REVOLTË”.
“Ne Lëvizja Revolta, jemi të bindur që kjo elite politike nuk na përfaqëson më. Interesat e popullit asnjëherë nuk u përfaqësuan nga asnjë sujbekt politik. Prandaj, bëjmë thirrje te çdo qytetar që më datën 7 qershor 2026 të dalë në votim, por në fletën e votimit ta shënojë “REVOLTË”, si shenjë revolte të brendshme për të kundërshtuar çdo të keqe në këtë vend“, thuhet në postimin e tyre të parë.


Ndonëse nuk figurojnë të regjistruar si organizatë jo-qeveritare, ata kishin organizuar edhe aksion simbolik para MPB’së për aplikimet për shtetësi në qershor të këtij viti.
“Nuk ka shtet pa llogaridhënie”, “Heshtja e ministrisë është alarm”, “Institucionet nuk janë pronë private”, thuhej në pankartat e tyre.

Të njëjtit sot gjatë protestës iu drejtuan deputetit të PDK’së Bedri Hamza dhe deputetit tjetër Enver Hoxhajt, duke iu thënë “turp duhet t’ju vijë”.
Kjo lëvizje ka faqe zyrtare pa të dhëna lidhur me krijuesit e saj. Në platformën e tyre, ata mundësojnë qytetarët që të regjistrohen dhe të shprehin opinionin e tyre lidhur me “faktet për padrejtësitë dhe të këqijat që bëhen në vendin tonë”.















