Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e pati dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).
“Sot në Gjykatën Kushtetuese e dorëzuam kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit aktual të KMSHCK-së. Ne siç e dini, pothuajse në fillim të këtij mandati e kemi kontestu shkarkimin e anëtarëve të këtij Këshilli në Gjykatën Kushtuese dhe kjo gjykatë na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucione. Fatkeqësisht, ky Ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që i ka bërë Gjykata në atë vendim paraprak, prandaj ne sot i kemi kontestu prapë ndryshimet që janë bërë në këtë Ligj”, pati deklaruar Përparim Gruda nga PDK.
Kurse sot Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se kërkesa e deputetit të PDK-së Abelard Tahiri, deputetit të LDK-së Besian Mustafa dhe dhjetë deputetëve të tjerë është e pranueshme.

“Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe të konstatojë (ii) njëzëri, që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; (iii) me shtatë (7) vota për dhe dy (2) vota kundër, që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtin të pavlefshëm; (iv) njëzëri, që nenet 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; dhe (v) njëzëri, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të shpallë që Ligji nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për dekretim sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar. Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar ndryshon dhe plotëson Ligjin nr. 06/ L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në katër aspekte kryesore. Së pari, ndryshon përbërjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga shtatë (7) në pesëmbëdhjetë (15) anëtarë, duke ndryshuar dhe/ose plotësuar edhe aspekte që ndërlidhen me kriteret dhe procedurën për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së dyti, eliminon dispozitën aktuale ligjore që garanton imunitetin në vendimmarrje të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së treti, zhvesh Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës nga kompetenca për të vendosur lidhur me ankesat e nëpunësve civilë dhe/ose kandidatëve për pranim në shërbimin civil në pozita të larta drejtuese kundër vendimeve të Qeverisë, përkatësisht pamundëson ankesat e të njëjtëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ndaj vendimeve të Qeverisë, por duke u garantuar të drejtën e ankesës në gjykatën kompetente në konflikt administrativ. Ndërsa, së katërti, për dallim nga ligji në fuqi për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, statusin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës si të ekzekutueshme, e kushtëzon ose në mungesën e ankesës në gjykatën kompetente ose në rast të ankesës, në nxjerrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë nga gjykata kompetente”.
