Me 85 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2022.Deputetët e Kuvendit në seancën e sotme miratuan edhe tri marrëveshje ndërkombëtare me Slloveninë.
Ata i dhanë dritë të gjelbër marrëveshjes me Slloveninë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, mbi ekstradimin dhe për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale.
Pozitë dhe opozitë miratuan edhe Projektligjin për aderimin në marrëveshjen për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për personat e zhdukur.
Krahas kësaj, Kuvendi miratoi edhe Deklaratën për antisemitizmin.Kjo deklaratë u propozua nga deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj, me mbështetjen e Grupeve Parlamentare të të gjitha partive politike të Kuvendit, lidhur me miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.
Deputetët kanë votuar me 79 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër.












