Kuvendi i Kosovës sot do ta bëj edhe një përpjekje për ratifikimin e disa marrëveshje ndërkombëtare. Qeveria ka vendosur t`i fusë në rend ditës këto marrëveshje ndonëse nuk i ka votat e sigurta për ratifikimin e tyre. Gjatë këtij viti Kuvendi ka pasur probleme me arritjen e kuorumit për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, meqenëse në disa raste opozita nuk i ka votuar ato.
Votat e partisë në pushtet nuk po janë të mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat kërkohet dy të tretat e votave në Kuvend. PDK-ja dhe AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk kanë vota për asnjë projekt të Qeverisë Kurti.
Pavarësisht problemeve me arritjen kuorumit për këtë çështje, në seancën e sotme, që pritet të fillojë nga ora 13:00, Kuvendi do t`i shqyrtojë tri marrëveshje.
Marrëveshja e parë që pritet të shqyrtohet është Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.
Pastaj pritet të shqyrtohet Projektligji nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.
Ndërsa marrëveshja e tretë është Projektligji nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.
Qëndrimet e partive
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë me dije se nuk do t`i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Këtë qëndrim e kanë përsëritur edhe të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku është vendosur për rendin e ditës.
Opozita / Opozita pikë e pesë: PDK kërkon zgjedhje, AAK mocion mosbesimi, LDK rrugë të re
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelad Tahiri, ka treguar arsyet e mosvotimit të këtyre marrëveshjeve.
“Nuk ka kuptim që ato marrëveshje ndërkombëtare të votohen kur një numër i marrëveshjeve ndërkombëtare janë suspendu në raport me Kosovën, me fondet e IPA-së. Kosova vazhdon të jetë në sanksione, ato nuk kanë mundësi të realizohen në situatën në të cilën jemi”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, deputeti i VV-së, Armend Muja, i ka bërë thirrje opozitës që t`i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Ai ka vlerësuar se opozita nuk ka asnjë arsyeje për mosvotim të marrëveshjeve.
“Në të kaluarën ka pasur një praktikë të mirë të votimit të marrëveshje ndërkombëtare edhe në kohët më të liga. Nuk e di se si mendojnë ta bëjnë këtë. Marrëveshjet kërkojnë 2/3 e votave. Këtu nuk kemi asgjë politike, në kushte normale nuk do të duhej të kishte mospajtim. Kemi vërejtur një tendencë që nga marsi, partitë opozitare nuk i votojnë pa dhënë ndonjë arsye pse nuk i votojnë”, ka thënë Muja të hënën.
Javën e kaluar ka dështuar përpjekja e Qeverisë për të miratuar Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
Kjo pasi Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e votuan këtë marrëveshje. Ndryshe nga PDK dhe AAK, LDK-ja ka votuar pro kësaj marrëveshje. Megjithatë, nuk ishte arritur kuorumi i nevojshëm për ratifikimin e kësaj marrëveshje.