Kuvendi i Kosovës me 65 vota pro ka votuar sot buxhetin e vitit 2023, i cili parashihet të jetë 3.2 miliardë euro, shkruan Veriu.info
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se ky buxhet është jozhvillimor, diskriminues dhe i draftuar me inate politike.
Postimi i plotë:
Kuvendi sot votoi Buxhetin e Kosovës për vitin 2023, një buxhet jozhvillimor, diskriminues dhe i draftuar me inate politike.
Sot të gjitha propozimet e opozitës u refuzuan nga deputetët e LVV-së, ani pse ishin propozime në interes të qytetarëve.
Deputetët e LVV-së votuan kundër rindërtimit dhe ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në Veri (amendamenti 77), por votuan pro ndërtimit të shtëpive për komunitetet (amendamenti 4 i komisionit funksional).
Deputetët e LVV-së votuan kundër projekteve infrastrukturore në Veri të Kosovës (amendamenti 78).
Deputetët e LVV-së votuan kundër projekteve në shëndetësi dhe arsim (amendamentet 79-80).
Deputetët e LVV-së votuan kundër projekteve sportive, kundër investimeve në Stadiumin Nacional, kundër investimeve në Stadiumin Adem Jashari, kundër investimeve në Stadiumin Riza Lushta (amendamentet 81,82,83).
Deputetët e LVV-së votuan kundër projektit për ndërtimin e lapidarit të heroit Agim Rr. Ramadani (amendamenti 84).
Hipokrizia e votës kundër e deputetëve të LVV-së ishte kur votuan edhe kundër propozimeve që vetë i kanë propozuar. Kësi lloj përçmimi dhe zhvlerësimi të autoritetit të deputetit nuk ka pasur ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës.













