
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës me 9 vota për dhe asnjë kundër ka shkarkuar sot Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.
Në një komunikatë drejtuar mediave, drejtori i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, thotë se vendimi për shkarkim bazohet në shkeljet e shumta të Ligjit për RTK-në dhe akteve tjera nënligjore të bëra në RTK gjatë mandatit të Ngadhnjim Kastratit.
Bordi i RTK-së përmes kësaj komunikate ka njoftuar se ushtrues detyre do të jetë Shkumbin Ahmetxhekaj, redaktor shumëvjeçar në RTK.

“Bordi i RTK-së konstatoi një neglizhencë të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj parregullsive, keqpërdorimeve, mospunës, nepotizmit, degradimit, raportimit të vazhdueshëm të anshëm e jo objektiv të transmetuesit publik të Kosovës. Bazuar në të gjitha këto shkelje, për Bordin e RTK-së ka qenë e pamundur vazhdimi i konsolidimit të reputacionit të RTK-së dhe funksionimit të tij me z.Kastrati si Drejtor i Përgjithshëm”, shkruhet në komunikatë.
Tutje sipas kësaj komunikate bordi i RTK-së akuzon Kastratin se funksionimin e njësive kryesore të RTK-së e ka bazuar tek punonjësit me kontrata për shërbime. Sipas tyre deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar RTK ka pasur 239 persona të angazhuar me kontrata për shërbime, shumica prej të cilëve janë angazhuar si gazetarë, kameramanë, montazhierë dhe punëtorë të sigurimit.
“Z. Kastrati, përgjatë gjithë mandatit të tij ka dështuar të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionimin siç duhet të RTK-së. Në mungesë të konkurseve, janë angazhuar persona të cilët nuk i janë nënshtruar vlerësimeve rekrutues. Kontratat për shërbime janë vazhduar pa një vlerësim të performancës së të angazhuarve. Nga ana tjetër, Bordi është i shqetësuar për të drejtat e punës të personave që janë angazhuar me këto kontrata. Bazuar në kontratat e punës, kjo formë e angazhimit nuk parasheh pushimet dhe përfitimet e tjera që i garanton Ligji i Punës për punëtorët. P.sh., ka pasur raste kur pushimi i lehonisë nuk i është njohur grave të punësuara me kontrata për shërbime. Ka të angazhuar me kontrata për shërbime, që përmes emailit i kanë shkruar Bordit të RTK-së, se për shumë vite (përfshirë edhe tri vitet e fundit) nuk kanë marrë asnjëherë pushim javor, mujor apo vjetor. Për më tepër, deri me datë 23 dhjetor 2021 (sipas deklaratave të Drejtorit të Përgjithshëm, nuk ka pasur ndonjë analizë apo vlerësim të saktë për nevojat e punonjësve me kontrata për shërbime. Fillimi për diskutimin e kësaj nevoje ka filluar vetëm pas kërkesës së Bordit aktual të RTK-së”, shkruhet tutje në komunikatë.
Si arsye tjetër e shkarkimit të Kastratit është edhe dështimi në respektimin e Ligjit për RTK-në dhe Rregulloreve të brendshme të mediumit. Në komunikatë bëhet e ditur se si pasojë e kësaj ka punëtorë që kanë kontrata të rregullta dhe kompensohen rregullisht, ndonëse nuk paraqiten fare në punë.
“Për më tepër, disa nga këta punëtorë, të cilët paguhen nga RTK, marrin pjesë në debate të ndryshme, kryesisht politike, në media të tjera vendore, gjë e cila po ashtu është e ndaluar me rregullore të brendshme të RTK-së, por të cilat nuk janë zbatuar. Pjesëmarrja e të punësuarve në aktivitete të tilla me karakter debatues politik, publikimi i deklaratave të njëanshme politike në rrjetet sociale si dhe shpërndarja e përmbajtjes së mediave konkurrente nga personat e punësuar në RTK, dëmtojnë imazhin dhe pavarësinë editoriale të transmetuesit publik, për çfarë Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së nuk ka marrë masat e duhura sipas rregullativës në fuqi”, shkruhet në njoftim.
Kastrati gjithashtu shkruhet se nuk ka prezantuar Strategjinë Zhvillimore të RTK-së, si dhe ka dështuar të sigurojë adresimin dhe zbatimin e gjetjeve të Njësisë së Auditimit të Brendshëm.
“Bordi i RTK-së konsideron se lista e gjetjeve, përkatësisht shkeljeve është më e gjatë dhe më e ngarkuar, mirëpo duke pasur parasysh se disa çështje të identifikuara janë subjekt i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Inspektorati i Punës apo institucioneve tjera relevante, nuk përfshihen në këtë vendim për shkak të subjektivitetit deri në vlerësim nga autoritetet kompetente”, përfundon komunikata e Bordit të RTK-së.
Në këtë link gjeni dokumentin për shkarkimin e Ngadhnjim Kastratit.












