Një konflikt i përgjakshëm në orët e para të mëngjesit në Mitrovicë përfundoi me plagosjen e një 30-vjeçari me thikë, ndërsa Policia arrestoi të dyshuarin vetëm pak minuta pas ngjarjes, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i arrestuari është Besart Rama, rreth 24-vjeçar, i cili dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas burimeve, ngjarja ndodhi rreth orës 01:20 në rrugën “Artim Jashari” në Mitrovicë. Fillimisht Policia u njoftua se në Spitalin Rajonal ishte dërguar një person i plagosur.
Në spital, zyrtarët policorë kontaktuan me viktimën, B.M, i cili kishte plagë në kokë dhe nën kraharorin e majtë, që dyshohet se ishin shkaktuar me një mjet të mprehtë – thikë.
Menjëherë pas marrjes së informatave, Policia lokalizoi dhe arrestoi Besart Ramën pranë Poliklinikës “Fati”, në afërsi të shtëpisë së tij.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit dhe krimteknikët sekuestruan një thikë, një telefon celular dhe një motoçikletë, për të cilën dyshohet se drejtohej nga viktima në momentin e sulmit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se motivi i incidentit ende nuk është zbuluar. Gjatë testimit, i dyshuari rezultoi me 1.48 promil alkool në gjak, ndaj me urdhër të Prokurorit u mbajt nën mbikëqyrje deri në krijimin e kushteve për procedurat e mëtejshme.
Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetuesit po punojnë për sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












