Një ndalim për tejkalim të shpejtësisë në Mitrovicë ka marrë tjetër drejtim, pasi shoferi dyshohet se ka tentuar t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë për të shmangur gjobën.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Shpëtim Shala, rreth 51-vjeçar.
Rasti ka ndodhur më 8 gusht, rreth orës 04:00, në rrugën “Albaniku” në Mitrovicë, derisa një njësi patrulluese e Policisë po mbante pikë kontrolli.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia e kishte ndaluar veturën pasi drejtuesi dyshohet se kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar.
Derisa zyrtarët policorë po procedonin me shqiptimin e gjobës, situata ka marrë një kthesë tjetër.
Shala dyshohet se u është afruar policëve me një kartëmonedhë prej 20 eurosh, duke ua ofruar atë në këmbim që të mos ia shqiptonin gjobën.
Zyrtarët policorë nuk e kanë pranuar ofertën dhe kanë arrestuar menjëherë të dyshuarin.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj Shalës është iniciuar rasti për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”, ndërsa me vendim të Prokurorit ai është ndaluar për 48 orë.
Nga një kundërvajtje për tejkalim shpejtësie, 20 eurot e ofruara policëve tashmë e kanë futur 51-vjeçarin në një procedurë penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













