Pak me parë u raportua për arrestimin e një 36-vjeçari në Vitomiricë të Pejës, i cili po dyshohet se sulmoi borxhliun dhe ia mori një telefon në këmbim të borxhit. Ai u arrestua një javë pasi u denoncua rasti dhe tashmë ndodhet në ndalim policor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije së bëhet fjalë për Nexhat Asanin, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për dy vepra penale, “sulm dhe vetëgjyqësi dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Ai po dyshohet se më 14 korrik e ka sulmuar fizikisht një person që i kishte borxh dhe më pas ia ka marrë telefonin, të cilin ia ka dëmtuar në ‘këmbim’ të moskthimit të borxhit.
Lidhur me rastin, Policia kishte nisur hetimet që një javë, por i dyshuari u identifikua tek gjatë ditës së djeshme dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim, ndërsa telefoni që i është gjetur u konfiskua.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, për dy veprat penale.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













