Një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit ka përfunduar në pranga në një aksion të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimet se ka lejuar importin e kimikateve dhe pesticideve të ndaluara në Republikën e Kosovës.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i arrestuari është Nazmi Maxhera rreth 63 vjeç.
Sipas burimeve të Sinjalit, aksioni është realizuar më 21 korrik, rreth orës 11:30, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Hetimet kanë nxjerrë dyshime se Nazmi Maxhera, në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për produktet biocide në ish-Ministrinë e Mjedisit, ka tejkaluar kompetencat e tij duke lëshuar leje importi në kundërshtim me Ligjin për Biocide dhe Kimikate.
Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka lejuar importin e substancave aktive të ndaluara sipas listës së Agjencisë Evropiane për Kimikate (ECHA), si dhe të pesticideve, për të cilat kompetencën ligjore e kishte institucioni përkatës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, si rezultat i këtyre lejeve, substanca të ndaluara dyshohet se kanë hyrë në territorin e Kosovës në periudha të ndryshme përmes operatorëve të ndryshëm ekonomikë.













