
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konferencë për media ka ngritur shqetësimet lidhur me rritjen e çmimeve të derivateve por edhe të produkteve ushqimore.
Partia e dytë opozitare, akuzon ekzekutivin se po e luan rolin e spektatorit në situatën e rënduar ekonomike të qytetarëve.
“LDK me 7 mars plot 95 ditë më parë propozoi reduktimin e TVSH-së e akcizës në naftë, u injoruam nga qeveria me arsyetimin se kriza është e njëjtë nëpër Evropë. Kriza mund të jetë e njëjtë, por vendet e Evropës nuk i kanë braktisur qytetarët”, tha zëdhënësja e LDK-së Sibel Halimi.
E deputeti Besian Mustafa akuzoi Qeverinë Kurti se po pasurohet në kurriz të qytetarëve.
“Dembelia, pasiguria dhe padituria e kësaj qeverie, po u kushton qindra miliona euro qytetarëve. Qeveria nga çmimet e larta po vjelë tatime e taksa të larta. Natyrisht, mbi kurrizin e qytetarëve dhe familjeve kosovare”, tha Mustafa.
“Çmimi i naftës ka shkuar mbi 1 euro e 80 cent, e nëse për një periudhë të caktuar, do të largoheshin tërësisht akciza dhe TVSH-ja çmimi momentalisht do të shkonte në rreth 1 euro e 20 cent”, shtoi Mustafa.
Sipsa tij, Grupi Parlamentar i LDK-së do të propozojmë rezolutë për uljen e akcizës në derivate dhe uljen e TVSH-së në produkte bazike.










