Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se sot do t’ia dorëzojë Prokurorisë Speciale të Kosovës vendimin e Gjykatës Supreme, e cila e ka shpallur të paligjshëm udhëzimin administrativ të Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Sipas arsyetimit të Supremes, udhëzimi për arkat fiskale është i kundërligjshëm, pasi Murati vazhdon të mbajë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
LDK ka bërë të ditur se vendimi i Supremes do të dorëzohet si provë shtesë në kuadër të 17 kallëzimeve penale që kjo parti ka dorëzuar më herët ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Nesër (e mërkurë), në orën 11:30, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon në Prokurorinë Speciale, vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme. E dorëzojmë këtë vendim si dëshmi në 17 kallëzimet penale që i kemi ngritur paraprakisht më datën 8 maj 2025.
Ftohen mediet të përcjellin këtë ngjarje!