
Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, ka dërguar në prokurori tre kallzime penale me pretendime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të autoriteteve komunale të Komunës së Prizrenit.
Ashtu siç kishte paralajmëruar Dega e LDK-së, në konferencën e mbajtur javën e kaluar, sot janë denoncuar edhe zyrtarisht në Prokurorinë Themelore në Prizren, Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Adem Morina, Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Bërbuqe Krasniqi-Berisha, për veprën penale “Ndërtim pa leje”, raporton Veriu.info
“Në një situatë ku komuna e Prizrenit, si një entitet publik, kryen ndërtime pa leje në prona publike është shqetësuese dhe shkelje e rëndë e ligjit. Kjo sjellje jo vetëm që çon në një mungesë të respektimit të rregullave themelore të ndërtimit, por gjithashtu shkel të drejtat dhe interesat e përgjithshme të qytetarëve. Kur një institucion publik si komuna e Prizrenit, që detyrohet me ligj të jetë shembulli i zbatimit dhe respektimit të ligjshmërisë, vetë kryen ndërtime pa leje në prona publike, kjo bëhet jo vetëm skandaloze dhe shkelje e ligjit por edhe kritike për besueshmërinë dhe integritetin e institucionit.
Ndërtimet pa leje nga vetë komunat, krijojnë precedentë të rrezikshëm duke rritur ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj drejtësisë dhe zbatimit të ligjit në përgjithësi.
Këto veprime janë skandaloze jo vetëm për shkeljen e ligjit, por edhe për kundërshtinë e dukshme mes sjelljes së institucioneve publike dhe kërkesës së tyre për respektim të ligjit nga qytetarët. Për LDK-në është e papranueshme dhe e dënueshme kultura abuzive e qeverisjes aktuale ne Prizren”, thuhet në komunikatën e LDK-së së Prizrenit.
LDK bën të ditur se kallëzimet penale janë bërë për rastet e listuara më poshtë:
- Drejtoria e Shëndetësisë,
Ndërtimi i aneksit në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Reqan.
Mbikëqyëse e projektit si person përgjegjës-zyrtar është : Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Bërbuqe Krasniqi-Berisha.
- Drejtoria e Arsimit dhe Shkencës,
Ndërtimi i aneksit në SHFMU “Heronjtë e Lumës” në Vërmicë,
Mbikëqyrëse e projektit si person përgjegjës-zyrtar është: Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit dhe Shkencës, Luljeta Veselaj Gutaj.
- Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Ndërtimi i “Qendrës së Rinisë” në fshatin Romajë.
Mbikëqyrës i projektit si person përgjegjës-zyrtar është: Drejtori i Drejtorisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit, Adem Morina
LDK e Prizrenit thotë se në funksion të mbrojtjes së integritetit të institucioneve publike dhe kujdesit të shpenzimit të taksave të qytetarëve, kërkon nga institucionet e zbatimit të rendit dhe ligjit, që sa më parë të marrin veprime konkrete dhe personat përgjegjës të sillen para drejtësisë./Veriu.info















