
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media pas vendimit të dikastereve qeveritare për të pezulluar nga pagat punëtorët që i janë bashkuar grevës. LDK po kërkon që Qeveria të gjejë zgjidhje dhe t’i adresojë kërkesat e grevistëve të arsimit, duke thënë se presioni me kërkimin e listave me emrat e grevistëve të sektorit publik nuk është e drejtë.
Jehona Lushaku nga LDK-ja ka thënë se Qeveria po e thellon krizën me moskonsideratën ndaj mësimdhënësve.
“Mësimdhënësit e Kosovës kanë hyrë në grevë si rezultat i moskonsideratës dhe refuzimit kategorik nga Qeveria ndaj kërkesave të tyre. Në krizën më të madhe ata kërkojnë dinjitet për ta kaluar këtë krizë. Qeveria në vend se të dialogojë, ajo ka zgjedhur kërcënimin dhe dënimin financiar për mësimdhënësit dhe sektorin publik në kohën kur kriza në vend po thellohet nga mosveprimi i kësaj qeverie”, tha ajo.
Lushaku kërkesën e Ministrisë së Financave e ka quajtur praktikë të autokratëve dhe cenim të demokracisë.
“Kërkimi i listave të grevistëve për të pezulluar kontratat e tyre është goditje e ulët dhe pa mbështetje ligjore. Kjo mënyrë përveç që është presion dhe frikësim i drejtpërdrejt është edhe cenim i demokracisë së vendit, është praktikë tipike e autokratëve për të heshtur kërkesat dhe pakënaqësitë e qeverisjes së tij”.
Përveç krizave që ekzistojnë në vend, Lushaku tha se Qeveria po krijon edhe një tjetër të re me arsimin.
“LDK kërkon që të ndalet menjëherë presioni ndaj mësimdhënësve dhe të gjendet zgjidhje për kërkesat e tyre”, theksoi ajo.
Lushaku adresoi edhe çështjen e ngrohjes nëpër shkolla. Tha se me mossigurimin e ngrohjes, rrezikon të mos mbahet procesi mësimor gjatë dimrit.
“MASHTI nuk ka ndërmarrë masa për sigurimin e ngrohjes në asnjë shkollë. Me ngritjen e çmimeve të lëndëve djegëse dhe mosveprimin e ministrisë shkollat rrezikojnë me mosmbajtje të procesit arsimor në muajt e ftohtë të dimrit. Në rast të reduktimeve të energjisë, i gjithë procesi mësimor është i rrezikuar”, tha ajo në një konferencë për media.











