Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se partia e tij ka qenë gjithmonë kundër zgjedhjeve në komunat veriore.
Lekaj thekson se qëndrimi i tyre si AAK për zgjedhjet në veri, gjithmonë është refuzuar nga partia në pushtet.
“Qysh nga fillimi, ne si AAK kemi pasur një qëndrim që kemi qenë kundër zgjedhjeve në komunat veriore. Madje ska qenë vetëm qëndrim politik por ka qenë edhe vendim që e kemi besuar se nuk ka shancë që procesi zgjedhor do të shkojë mirë deri në fund”, tha Lekaj.
“Këtë ja kemi thënë Qeverisë dhe shumicës së pushtetit, në seanca parlamentare, në konferenca për media dhe në komisione parlamentare, por që kemi qenë të refuzuar në tërësi si mendim e sygjerim opozitar”, shtoi ai.
Sipas Lekajt, zgjedhjet e fundit që u mbajten në veri përkeqësuan pozicionin politik të Kosovës.
Ai shton se Qeveria duke parë gabimin që kanë bërë kërkuan edhe dorëheqjen e kryetarëve.
“Pasi u mbajtën zgjedhjet, me inicim dhe përkrahje të Qeverisë Kurti, në Kosovë erdhën një varg problemesh dhe krizash, që tutje përkeqësuan pozicionin politik të Kosovës dhe aspektin social të qytetarëve të vendit”, tha Lekaj.
“Krejt në fund, Qeveria e pa gabimin dhe filloi të kthehej mbrapa duke kërkuar dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore”, shtoi ai.
Lekaj thotë se nuk e përkrahin dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë.
“Është keq pasi Kryeministri ynë e humbi betejën përballë Serbisë dhe krijoi precedent të keqë në shkarkimin e kryetarëve të komunave të Kosovës”, tha Lekaj.
“Parimisht dhe politikisht nuk e përkrahim dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë, por edhe nëse ajo bëhet, duhet të bëhet në përputhje me rregullat dhe të drejtat ligjore të bazuara në Kushtetutën e Kosovës dhe rregullat e qeverisjes lokale mbi zgjedhjen dhe shkarkimin e kryetarëve të komunave. Çdo variant tjetër për ne është i pa pranueshëm, sepse nuk bënë të shkelen parimet dhe rregullat e shtetit të Kosovës”, tha Lekaj












