Nënkryetari i AAK’së, Pal Lekaj, ka dhënë një propozim se si të dilet nga situata e moskonstituimit të Kuvendit. Ai jep si ide një “paketë zgjedhore” pas disa muajve ku qytetarët do të zgjidhnin presidentin, deputetët dhe kryetarët e komunave.
Deri në këto “zgjedhje”, Lekaj thotë se mund të formohet një qeveri kalimtare.
Ndryshe, Pal Lekaj njihet për skandalin e ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, ku ai po rigjykohet për për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar për kohën sa ishte ministër, transmeton Veriu.info
Propozim për tejkalimin e situatës aktuale politike
1. Të nderuar kryetarë të partive politike parlamentare,
Situata politike e krijuar pas zgjedhjeve të fundit paraqitet e ndërlikuar dhe me potencial për të prodhuar vetëm zgjidhje afatshkurtra. Në mënyrë që të mos i lodhim qytetarët tanë me përplasje dhe bllokada politike që burojnë nga mospajtimet ndërpartiake, propozoj një zgjidhje të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse:
Formimin e një qeverie kalimtare me mandat 6-8 mujor, e cila do të kishte për detyrë të menaxhojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të organizoheshin në fund të muajit nëntor ose në fillim të dhjetorit. Kjo datë do të përkonte me përfundimin e mandateve të kryetarëve të komunave, si dhe do të ishte një hap drejt afërsimit të zgjedhjeve për presidentin e vendit.
Kjo do të ishte një mundësi ideale për organizimin e një “pakete zgjedhore 3-në-1”, ku qytetarët me një dalje në votime do të zgjidhnin:
1. Përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme,
2. Presidentin e ri të vendit,
3. Kryetarët e komunave.
Një qasje e tillë do të sillte përfitime të shumta:
• Reduktim të kostove buxhetore,
• Kursim kohe për qytetarët dhe institucionet,
• Rritje të besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve.