Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Albin Kurti është fajtori për shkuarjen e vendit në zgjedhje.
Ai për Expose të Gazeta Blic, ka thënë se Kurti s’ka pasur gatishmëri që të bashkëqeverisë me partitë opozitare, teksa ka marrë shumicën në zgjedhjet e fundit.
“Sa i përket shkuarjes së vendit në zgjedhje, mendoj dhe jam i bindur se nuk ka qenë gatishmëria e z.Kurtit që të bashkëqeverisë me subjektet opozitare, LDK, PDK, Aleancën por që në fillim ka dëshmuar se ai nuk është i aftë që të dëshmojë konsensus me subjektet politike sepse qartë e ka ditur që duhen 2/3 e deputetëve në Kuvend për t’u zgjedhur presidenti i Kosovës. Një lider që nuk mund të krijojë konsensus apo bashkëpunim kur i duhen votat e në këtë rast siç është zgjedhja e presidentit, mendoj se është dështim dhe kryefjala dhe ai që është fajtor për shkuarjen në zgjedhje është kryeministri Albin Kurti. E them këtë me përgjegjësi të plotë sepse ai që në start është dashur që të ftojë opozitën për bashkëpunim dhe të krijojë institucione stabile, nuk e ka bërë këtë dhe mendoj që në mendjen e tij ka qenë arratisja nga përgjegjësia që i takon dhe vendin e ka lënë në këtë krizë’, ka thënë ai.
Por, a janë zgjedhjet e reja zgjidhje? Sipas Lekajt, në zgjedhje shkohet për të bërë zgjidhje nga sovrani, teksa shton se qytetarët do ta braktisin Kurtin me votë.
“Pse shkohet në zgjedhje? Shkohet për të bërë zgjidhje nga sovrani. Dhe në këtë rast qytetarët do të mendojnë shumë mirë që kësaj here duhet për të bërë zgjidhje me votën e tyre, jo që të krijojmë kriza. Prandaj me veprimet e Kurtit, qytetarët do ta braktisin me votën e tyre sepse dihet sa fuqishëm e kanë përkrahu, i ka 51 për qind të votës dhe të mos jesh në gjendje të krijosh institucioneve me këtë përqindje të votave, mendoj se është nonsens që të kërkosh prapë nga qytetarët që të krijojnë një problem tjetër dhe ne të krijojmë ngërçe të tjera të njëpasnjëshme, prandaj mendoj se qytetari do të jetë i vendosur, do të thotë po “ne të kemi votuar për t’i krijuar institucionet, për të menaxhuar dhe për t’iu ofruar të mira qytetarëve, ja që kësaj here do të vendosim ndryshe””, ka potencuar nënkryetari i AAK-së.
Ai ka shtuar se VV do të ketë rënie, teksa ka thënë se opozita duhet të jetë aktive me alternativë, që ta dërgojë VV-në në opozitë.
“Unë mendoj se nëse nisemi nga vlerësimi se çfarë pune ka bërë, jeta e qytetarëve është vështirësuar, çmimet enorme, e mos të përmendim gjëra tjera, mendoj se kjo krizë e krijuar nga vetë qeveria Kurti s’do mend që qytetari do ta godasë me votë. Prandaj, në këtë drejtim do të ketë rënie dhe opozita duhet të jetë aktive me alternativë, jo me fjalë boshe por duhet të jemi ata që ofrojmë program, një alternativë më ndryshe, përndryshe atëherë qytetari pse të na votojë ndryshe. Mendoj se në këtë çështje opozita është e përgatitur, në këtë rast AAK është e përgatitur dhe do të bëjmë më të mirën të mundshme që kjo keqqeverisje të kalojë në opozitë dhe të vijnë forca të reja që do ta ndryshojnë komplet qeverisjen e vendit dhe do të punojnë për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Pal Lekaj./Gazeta Blic/














