
ushdo prej qytetarëve të Kosovës që nuk e kanë paguar këstin e parë të tatimit në pronë do të ketë gjoba e kamata për ta, raporton Gazeta Blic.
Por ata që nuk kanë paguar faturën për tatimin në pronë me rritje siç ka kërkuar Ministria e Financave deri në fund të prillit, nuk janë ‘fajtor’ për shkak të lëmshit që ka krijuar vet Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati.
Normalisht nuk do të ketë as falje të 100 eurove për secilin që paguan faturën e tatimit në pronë, as projektligji i ri për tatimi në pronë, e as pranim të kërkesës së kryetareve të komunave që tatimi në pronë të faturohet sikurse në vitin 2022.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Gazeta Blic, se me automatizëm qytetarët e Kosovës do të ndëshkon pas muajit prill që nuk kanë paguar tatimin në pronë me rritje, e që për këtë nuk ka lenë fajtorë ata, por ka akuzuar ministrin e Financave Hekuran Murati për krejt këtë ‘pështjellim’ për tatimin në pronë.
“Fatura e tatimit në pronë shkon për secilin qytetarë në bazë vjetore, por që ai mund të paguhet me dy këste. Në fund të muajit prill, 50 për qind dhe në fund të muajit shtator me 50 për qindëshin tjetër. Tashmë ekziston sistemi në MEF që me automatizëm qytetarët ose bizneset që nuk kanë paguar tatimin do të gjobiten ose do të ketë kamata për ta. Nëse kësti i parë nuk paguhet deri më 30 Prill secili tatimpagues do të ndëshkohet për tatimin e pa paguar me gjobë 10% si dhe interes 0.65% ne muaj.”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk mori parasysh kërkesën e kryetarëve të komunave që tatimi të faturohet sikurse në vitin 2022.
Për këtë thotë se kanë kërkuar nga Qeveria për shkak të gjendjes së renduar ekonomike- sociale.
“Qeveria e ka dërguar projektligjin për tatimin në pronë në Kuvend pa u konsultuar fare as me kryetarët e komunave as me Asociacionin, as me qytetarët e as me bizneset. Ka pasur një ide që t`u falen nga 100 euro secilit që paguan këstin e parë , por me projektligjin e ri që e ka dërguan Qeveria, këtë 100 euro duhet ta falin komunat e jo qeveria”, tha Sazan Ibrahimi.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka thënë se me këtë të hyrat vetaneke në tatimin në pronë do të ulën për 40 për qind për komunat.
Shembull ilustrues:
Nëse fatura e tatimit në pronë është 200 euro, dhe nëse kësti i parë nuk është paguar deri më 30 Prill, do të ndëshkohet për tatimin e papaguar me gjobë 10% si dhe interes 0.65% në muaj. Pra, ky tatimpagues që nuk e ka paguar tatimin deri më 30 prill, do të paguaj gjobë 20 euro dhe 0.65 % interes mujor.
Gjoba po ashtu aplikohet edhe në këstin e dytë nëse nuk paguhet më 30 Shtator! Pastaj në secilin muaj aplikohet prapë 0.65% interes në totalin e tatimit të pa paguar (përfshirë borxhin baze + gjoba dhe interesi i akumuluar).












