Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën, ambasadori ukrainas në OKB Sergiy Kyslytsya lexoi me zë të lartë një letër nga një fëmijë ukrainas, shkruar për nënën e tij të vdekur.
Kyslytsya tha në Këshill se letra u bë publike në Ukrainë “disa ditë më parë” dhe se ishte shkruar nga një djalë nëntë vjeçar pasi nëna e tij u vra nga ushtarët rusë.
Kyslytsya, i cili foli në Këshillin e Sigurimit në anglisht, e lexoi letrën në të cilën shkruhej:
“Mama, kjo letër është dhurata ime për ty në Ditën e Gruas më 8 Mars. Faleminderit për nëntë vitet më të mira të jetës sime. Shumë faleminderit për fëmijërinë time. Ti je mamaja më e mirë në botë. Unë kurrë s’do të të harroj ty. Të uroj fat në qiell dhe shpresoj të jesh në parajsë. Do të përpiqem të sillem mirë për të të arritur ty në parajsë”.
Kyslytsya tha se nëna e djalit u vra nga ushtarët rusë kur ata u përpoqën të arratiseshin me makinë nga qyteti i tyre i pushtuar nga Rusia.
Djali qëndroi në automjet derisa banorët vendas ishin në gjendje ta shpëtonin dhe ta çonin në një strehë, tha ambasadori ukrainas.












