
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur të premten ka njoftuar se i janë drejtuar me një letër Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borrell. Në letër thuhet se nuk kanë pranuar përgjigje nga Serbia për kërkesën që i kanë parashtruar për hapje të arkivave. Kryesuesi i këtij komisioni tha për Express se ende nuk kanë pranuar përgjigje nga Borrell, derisa ka shtuar se edhe Deklarata për të Zhdukurit, që u arrit më 2 maj, nuk po zbatohet.
Baton Haxhiu e godet Vjosa Osmanin që i “ligjëroi” Macron’it: Do shuhet si…
Hapja e arkivave është një nga kërkesat që Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i kanë bërë Serbisë, duke u thirrur në Deklaratën për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky komision i ka dërguar kërkesë edhe Vuçiqit për qasje të plotë në materialin arkivor, për çka ende s’kanë pranuar përgjigje nga ai.
Për këto dy kërkesa, Komisioni i drejtuar nga Andin Hoti, i është ankuar Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borrell. Mirëpo që nga e premtja ata nuk kanë pranuar përgjigje nga Borrelli.
Këtë e konfirmoi vetë Hoti në një përgjigje për Gazetën Express.
Ai tha se Deklarata për Personat e Zhdukur nuk po zbatohet, pasi fillimisht duhet të themelohet Komisioni i Përbashkët nga BE dhe as për këtë nuk kanë marrë përgjigje nga Borrell apo emisari i posaçëm i BE’së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.
“Nuk po zbatohet sepse duhet të themelohet Komisioni i Përbashkët nga BE dhe nuk kemi pranuar ende përgjigje nga z. Lajçak ose z. Borrell”, tha Hoti.
Mirëpo disa ditë pas miratimit, Hoti në “Frontal” kishte treguar hapat që vijnë pas nënshkrimit të Deklaratës. Pas themelimit të grupit punues, Hoti kishte sqaruar se do të fillojnë shkëmbimin e informacioneve.
“Pas nënshkrimit, pritet të themelohet një komitet i përbashkët që do të kryesohet prej BE-së dhe do të mbështesë dhe monitorojë punën e grupit punues. Më pas do të fillojmë të kërkojmë shkëmbimin e informacioneve, që i bie që ne do të kërkojmë informacione specifike dhe të klasifikuara të ushtrisë dhe policisë serbe. Nëse nuk na japin dokumentet, të paktën të na japin informacionet dhe të na lejojë qasjen në gërmimet në bazë të informacioneve. Informacionet që ne i marrim nga arkivat e Serbisë, nuk e zgjidhin komplet problemin e të zhdukurve, sepse jemi dëshmitarë që Serbia ka bërë krime të ndryshme në Kosovë, por së paku një udhërrëfyes që mund të na jep për më dit fatin e atyre personave dhe lokacionet ku kanë mundur t’i varrosin, zhvarrosin apo mënyra tjera. Ne kemi informacione që i kanë djeg trupat dhe pa këto informacione, pa këto urdhra nuk kemi se si ti gjejmë ata eshtra, sepse janë të djegur. Është e rëndë për familjarët, por është e vërteta dhe bota duhet ta dijë, sepse [Serbia] ka shtru asfalt me eshtra të njerëzve”, kishte thënë Hoti në “Frontal” më 20 mars.
Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të Bashkimit Evropian për të njëjtën çështje, por akoma nuk kanë kthyer përgjigje.
Çka thuhet në letrën që Komisioni për Persona të Zhdukur i ka dërguar Borrellit?
“Së bashku me shoqatat e familjeve të të zhdukurve të Kosovës, i kem bërë thirrje Serbisë që të hapë arkivat e tyre, pasi që zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti, si dhe leje për gërmime në varrezat e identifikuara e të shënuara në Serbi”, thuhet në letrën drejtuar Borrellit.
Më poshtë thuhet se Komisioni është i përkushtuar për të zbardhur të vërtetën për të zhdukurit me forcë gjatë luftës në Kosovë
Ndër të tjerash në letër thuhet se që 4 muaj prej miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur nuk kanë marrë asnjë përgjigje prej Serbisë, ndonëse më 1 qershor i kanë dërguar kërkesë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për qasje të plotë në materialin arkivor.
“Me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, ku përfshihen të zhdukurit me forcë, të nënshkruar më 2 maj 2023, Serbia ka marrë angazhime të vonuara prej kohësh. Në përputhje me angazhimet e Serbisë sipas Deklaratës, më 01.06.2023 i dërgova kërkesën e parë zyrtare presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për qasje të plotë në materialin arkivor, duke përfshirë por pa u kufizuar në dosjet e klasifikuara, të prodhuara në Komandën e Shpërbërë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Dhënia e qasjes së plotë në këtë material do të shërbente për të zbuluar rrethanat e vrasjeve dhe transferimin e eshtrave të shqiptarëve të Kosovës të zhdukur me forcë dhe do të kontribuonte drejtpërdrejt në zgjidhjen e fatit të të zhdukurve me forcë në rajonin e Drenicës. Edhe pse kanë kaluar katër muaj nga miratimi i Deklaratës dhe tre muaj nga dërgimi i letrës së lartpërmendur në adresë të z. Vuçiq, nuk ka asnjë përgjigje nga Serbia”, thuhet në letër.
Komisioni ka thënë se mungesa e bashkëpunimit nga ana e Serbisë i rrezikon përpjekjet për përparim në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.
“Mungesa e bashkëpunimit të Serbisë në përmbushjen e zotimeve të saj rrezikon përpjekjet tona të përbashkëta për të bërë përparim në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë, përmbushjen e detyrimeve tona dhe zbutjen e vuajtjeve të tmerrshme të familjeve.”
Kujtojmë se gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13.000 njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800.000 u zhvendosën dhe rreth 1.600 janë të zhdukur.
Çka u dakorduan Kurti e Vuçiq për personat e zhdukur më 2 maj në Ohër?
Në Deklaratën për Personat e Zhdukur, për të cilën u pajtuan kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq thuhet se do të “angazhohen bashkërisht për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur, për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime”.
Gjithashtu përmendet edhe qasja e plotë në informacione të besueshme dhe të saktë që i ndihmojnë zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur.
“Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst”.
Më pas thuhet se do të mundësohet dhe inkurajohet angazhimi aktiv i familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre.
Ndërkaq përmendet edhe Komisioni i Përbashkët, i cili do të kryesohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
“Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur, Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.”
Në fund thuhet se “detajet operacionale do të dakordohen në rundin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”.












