Kryeministri Kurti tha të mërkurën se duhej të mbahej mbledhja e dy qeverive, anulimi i së cilës në qershor duket se e mban të indinjuar ende. Ky qe parakushti që ai të mund ta presë kryeministrin Rama sot në Prishtinë. Si arsye Kurti përmendi marrëveshjet që mbetën pa u nënshkruar, por ato i ka nënshkruar Rama tash, ia ka dorëzuar MPJ-së së Kosovës sot dhe pret që Kurti ta pranojë takimin me të pasdite.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ia ka dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës të nënshkruara 13 marrëveshjet që prisnin miratimin e dy qeverive, në një mbledhje që nuk u mbajt në qershor.
Rama shkroi në Twitter se shpreson që tash Kurti do të pranojë ta zhvillojnë një takim sot pasdite në Prishtinë.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi Rama.
Kurti të mërkurën në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë nuk u shpreh i gatshëm ta takojë Ramën, duke pranuar se raporti ndërmjet dy vendeve “po lëngon”.
“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama dhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të tourit ballkanik. Është thënë që ky tour ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor dhe unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që meqenëse do të vijë dhe do të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm ndonëse ishte paraparë muaj më parë”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se i kishin bërë të gjitha përgatitjet për mbledhjen e anuluar të dy qeverive që ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor dhe “13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen tash kanë ngelur në sirtar”. Kurti tha se nga to “nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët”.
Rama ka paralajmëruar vizita në të gjitha shtetet e rajonit për t’i takuar kryeministrat dhe presidentët pët t’i informuar për përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë këtë vit. Në Kosovë, janë konfirmuar takimet e tij me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Kurti ka shprehur habinë se si Rama do ta nisë “kaq herët” këtë ‘tour’ ballkanik.











