Para disa ditësh ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu kishte nënshkruar një marrëveshje mes ministrisë që e udhëheq ai dhe universitetit ku ai ligjëron e merr rrogë, UBT-së.
Kjo marrëveshje, e cila ishte parë si favorizuese, kishte bërë bujë të madhe në media dhe nga opozita ishte cilësuar si njëri ndër skandalet e radhës nga dikasteret që janë pjesë përbërëse e Qeverisë Kurti
E në deklarimin e pasurisë për vitin 2022, shihet se ministri Aliu vazhdon të marrë pagë nga universiteti në fjalë.
Siç ka deklaruar Aliu në AKK, aty ai merr pagë vjetore 2 mijë e 40 euro.

Sidoqoftë, shuma në fjalë është më e madhe se paga që Aliu merrte vitin e kaluar në këtë Kolegj, e të cilën e kishte deklaruar në Kundër Korrupsion.

Pagë nga UBT po vazhdon të marrë edhe kryekëshilltarja e Liburn Aliut, Rineta Jashari, e cila po ashtu ishte pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes me këtë kolegj.
Gjersa në vitin e kaluar të deklaruara si pagë i kishte 13 mijë e 94 euro, këtë vit ajo ka deklaruar si fitim nga UBT gjithësej 7 mijë e 493 euro.
DEKLARIMI 2021- Rineta Jashari

DEKLARIMI 2022 – Rineta Jashari

Ndryshe, më 20 prill të këtij viti Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte nënshkruar një marrëveshje me UBT-në, kolegjin ku punon ministri dhe kryekëshilltarja e tij.
“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojave e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore”, shkruante Aliu.
Më vonë, ministri zotohej se kjo marrëveshje do të nënshkruhet edhe me Universitetin e Prishtinës. /Lajmi.net/











