Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas rrëzimit të një rakete ruse në territorin e Polonisë, gjatë sulmeve të mbrëmshme në Ukrainë.
Von der Leyen e ka cilësuar rrëzimin e raketës si një shkelje të papranueshme të hapësirës ajrore të Bashkimit Evropian.
“Për t’i dhënë fund kësaj, ne po e ndihmojmë Ukrainën ta fitojë këtë luftë në çdo mënyrë që mundemi. Në të njëjtën kohë, ne po ndërtojmë një arkitekturë të fortë evropiane të sigurisë në tokë, në det dhe në ajër”, ka shkruar ajo në një postim në platformën X.
Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka reaguar ndaj shkeljes së raportuar të hapësirës ajrore, duke thënë se veprimet e Rusisë kërcënonin sigurinë e Evropës në tërësi.
“Mbrëmë, Rusia nisi një sulm masiv të kombinuar kundër Ukrainës. Gjatë sulmit, u shkel edhe hapësira ajrore polake, duke nënvizuar edhe një herë se agresioni i Rusisë është një kërcënim për sigurinë e Evropës në tërësi”, ka shkruar Costa.
Gjithashtu, ka reaguar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, si dhe zyrtarë e përfaqësues të tjerë të shteteve evropiane.
Kryeministri polak, Donald Tusk ka thënë se objekti që ra në territorin e këtij shteti ka shumë gjasa të jetë raketë ruse.













