Punëtorët e sistemit të drejtësisë janë shprehur të pakënaqur me koeficientin e Ligjit të Pagave, të caktuar nga Qeveria e Kosovës.
Ata thonë se u janë zvogëluar pagat me ligjin e ri.
Lidhur me këtë, avokati Skender Musa thotë për Gazeta Blic se gabimi më i madh është bërë me uljen e pagave ndaj sistemit të drejtësisë, pasi ekzistojnë nene evropiane që e ndalon këtë.
“Sa i përket gjyqësorit, konsideroj se është gabim shumë i madh që u janë zbritur pagat, ligjërisht është e padrejtë, ekzistojnë edhe akte të ndryshme ndërkombëtare të cilat nuk lejojnë që gjyqtarëve dhe prokurorëve t’u ulen pagat nga ekzekutivi apo legjislativi, për shkak se konsiderohen dhe në fakt janë organe të pavarura. Mirëpo, në rastin e Kosovës zbritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është e padrejtë edhe për shkak të angazhimeve që i kanë ata në punë” , thotë ai.
Sipas Musës, ulja e pagave do të ndikojë në performacën e tyre, teksa ka shtuar se në SHBA e Evropë prokurorët dhe gjyqtarët janë më të paguarit.
“Padyshim që ligji që ua ndryshon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve do të ndikojë në performancën e tyre në punë, për shkak se nëse i marrim të gjitha departamentet e gjykatave të Kosovës janë të stërngarkaua me lëndë dhe mund të them që janë të vetmet institucione që i kanë 8 orë në ditë punë efektive, nuk janë si institucionet tjera që mund të kenë edhe kohë të lirë por prokurorët nuk e kanë kohë të lirë asnjë minutë, në tërë territorin e Kosovës. Në shtetet evropiane e në SHBA gjyqtarët dhe prokurorët paguhen më së shumti, njësoj ka qenë edhe në Kosovë deri tash”, deklaron avokati.
Ndërsa, sa i përket mësimdhënësve, ai thotë se konsideron se pagat janë të ulëta dhe diferencimi mes tyre është i dëmshëm dhe i kundërligjshëm.
Se si duhet të veprojnë punëtorët e sistemit të drejtësisë, Musa thotë se ata duhet ta dërgojnë ligjin në Kushtetuese, por që sipas tij është shumë befasues se si është caktuar ai koeficient dhe mënyra se si nuk është bërë diskutim publik për të.
“Natyrisht që gjyqtarët dhe prokurorët mund ta dërgojnë ligjin në kushtetuese dhe ka shumë komitete të pakënaqura me këtë çështje, shumë grupe të interesit që do ta dërgojnë ligjin në Kushtetuese, mirëpo është më tepër befasues se në çka janë bazuar për ta nxjerr këtë koeficient, mbajtja konfidenciale e tij, mos diskutimi me grupe të interesit kur dihet se për të nxjerr një ligj për të drejtat e qytetarëve, të drejtat e të punësuarve, duhet diskutuar publikisht dhe duhet marrë vërejtjet e grupeve të interesit, që në këtë rast është dashur t’i marrin parasysh interesat e punëtorëve, është dashur të diskutohet me sindikata për të ardhur te një zgjidhje”, potencon ai.
Avokati shpjegon faktorët që duhet marrë parasysh për caktimin e koeficientit dhe që të gjithë kanë pritur që të ketë rritje të pagave dhe jo ulje, teksa shton se ky ligj nuk duhet të kalojë.
“Dhe duke pasur parasysh inflacionin që e ka përfshirë gjithë Evropën, të gjithë kemi pritur që do të ketë rritje të pagave në të gjithë sektorët dhe jo të zbriten pagat në këtë krizë, për shkak që kam punuar vetë në qeveri dhe kam hartuar ligje dhe kam kryer shumë trajnime se si ndryshohen ligjet dhe për t’u ndryshuar ligjet duhet marrë parasysh zhvillimi ekonomik, administrativ dhe inflacioni, e në këtë rast, pavarësisht se ka ndryshuar për të keq zhvillimi ekonomik dhe inflacioni, ligji me degradu dhe më iu zvogëlu rrogat është e papranueshme dhe ky ligj gjithsesi do të shkojë në Kushtetuese dhe nuk bën të kalojë”, deklaron avokati Skender Musa.











