Pas vendimti të Gjykatës Kushtetuese që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh ka reaguar kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Limaj në reagimin e tij tha se ‘qëndrimi ynë i drejtë, sot po bëhet rruga e pashmangshme dhe e domosdoshme për shtetin’
“Që nga ditët e para pas zgjedhjeve, kam thënë qartë: “Për interesa nacionale, jam i gatshëm të ulem në çdo tavolinë. Me këdo që fton.”E kam thënë këtë sepse, menjëherë pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, kam parë qartë se pa një marrëveshje politike ndërmjet partive nuk do të ketë zgjidhje funksionale për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve tjera.Ishte një lexim i drejtë i realitetit dhe një vlerësim i ndershëm i situatës, jo për kalkulim apo për të fituar kohë, por për t’i dhënë vendit rrugëdalje” shkruan Limaj raporton “Gazeta Blic”.
Ai tutje potencon se “Sot gjithçka është bërë e qartë. Qëndrimi ynë ka qenë i drejtë, dinjitoz dhe në shërbim të vendit” shkruan Limaj.
Limaj pohoi se nesër do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Prandaj, nesër do të jem në tryezën e thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, me po të njëjtin qëndrim që kam pasur që nga dita e parë: Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime”
Reagimi i plotë:
Qëndrimi ynë i drejtë, sot po bëhet rruga e pashmangshme dhe e domosdoshme për shtetin!
Që nga ditët e para pas zgjedhjeve, kam thënë qartë: “Për interesa nacionale, jam i gatshëm të ulem në çdo tavolinë. Me këdo që fton.”
E kam thënë këtë sepse, menjëherë pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, kam parë qartë se pa një marrëveshje politike ndërmjet partive nuk do të ketë zgjidhje funksionale për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve tjera.
Ishte një lexim i drejtë i realitetit dhe një vlerësim i ndershëm i situatës, jo për kalkulim apo për të fituar kohë, por për t’i dhënë vendit rrugëdalje.
Kjo bindje buronte nga përvoja politike dhe përkushtimi im për stabilitet institucional. Dhe sot, ajo që atëherë dukej si propozim, po dëshmohet si vizion largpamës: Një zgjidhje funksionale që siguron Kuvendin, stabilitetin dhe hap rrugën për formimin e institucioneve të reja!
Sot, kur të gjithë liderët politikë janë ftuar në një tryezë nga kryetari i Vetëvendosjes dhe po e pranojnë nevojën për një marrëveshje politike, është me rëndësi të kujtojmë se kjo nuk është një rrugë e re, por është rruga që ne e kemi propozuar muaj më parë!
Rrugë që atëherë u kontestua, u nënvlerësua, u kritikua, e madje u shoqërua edhe me linçim publik.
Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë: Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është proces që kërkon marrëveshje politike, jo bllokim, jo taktika dhe jo shfaqje publike.
Fatkeqësisht, e gjithë kjo kohë nuk u përdor për zgjidhje, por për akuza, ndarje dhe hipokrizi politike.
Sot gjithçka është bërë e qartë.
Qëndrimi ynë ka qenë i drejtë, dinjitoz dhe në shërbim të vendit.
Një propozim i balancuar që garantonte stabilitet politik, funksionalitet institucional dhe kthjellje në proceset vendimmarrëse.
Qytetarët nuk na kanë votuar për përçarje, por për përfaqësim.
Për Kuvend që funksionon. Për institucione që marrin vendime.
Kjo është ajo që ata presin dhe kjo është ajo që ata meritojnë!
Prandaj, nesër do të jem në tryezën e thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, me po të njëjtin qëndrim që kam pasur që nga dita e parë: Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime.
Rruga që ne e propozuam, sot po bëhet e pashmangshme.
Nga qëndrimi i drejtë, tek zgjidhja që po pranohet.
Ne kemi qenë të gatshëm për zgjidhje. Dhe kjo është ajo që do të ofrojmë përsëri.
Fatmir LIMAJ