Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka dënuar ashpër sjelljen e lojtarëve të Argjentinës menjëherë pas finales së Kupës së Botës, duke e cilësuar atë si “të patolerueshme” dhe “të papranueshme”.
Ndërkohë, FIFA ka nisur zyrtarisht hetimet për incidentet që pasuan fitoren 1-0 të Spanjës ndaj Argjentinës në finalen e Botërorit.
Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare u regjistruan disa incidente. Thiago Almada dhe Leandro Paredes e rrëzuan në tokë Gavin, vetëm pak çaste pasi ky i fundit ishte përplasur dhe ishte kapur për qafe me mbrojtësin Eric Garcia.
Po ashtu, Nahuel Molina dukej se tentoi ta godiste me grusht Rodrin, ndërsa po vraponte drejt festës së lojtarëve të Spanjës. Sipas raportimeve, edhe trajneri i Argjentinës dhe ish-mbrojtësi i Valencias, Roberto Ayala, goditi Dani Olmon.
Më herët gjatë javës, FIFA konfirmoi se kishte hapur një hetim zyrtar për ngjarjet e ndodhura pas finales.
Në deklaratën e saj thuhej:
“Pas shqyrtimit të raporteve zyrtare të finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, dhe në përputhje me nenin 36 të Kodit Disiplinor të FIFA-s (FDC), Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka emëruar një prokuror disiplinor dhe etik për të hetuar shkeljet e mundshme të Kodit Disiplinor në lidhje me incidentet pas ndeshjes.”
Më tej, FIFA shtoi:
“Detaje të tjera do të bëhen të ditura nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s pasi të përfundojë raporti i prokurorit.”
Teksa diskutimet për finalen vazhdojnë, De la Fuente dha qëndrimin e tij gjatë një paraqitjeje në televizionin spanjoll.
“Në atë moment nuk e kuptova çfarë po ndodhte. Po festoja dhe po përqafohesha me pjesëtarët e stafit. Por, në çdo rast, kjo është e patolerueshme, e papranueshme dhe nuk mund të lejohet. Lojtarë të atij niveli, të cilët i kam vlerësuar para ndeshjes dhe vazhdoj t’i vlerësoj, janë futbollistë të mëdhenj me një trajner të jashtëzakonshëm. Jam i sigurt se janë ndier po aq keq sa ne kur panë ato reagime”, deklaroi trajneri spanjoll.
65-vjeçari përgëzoi gjithashtu futbollistët e tij për mënyrën se si reaguan në ato momente tensioni.
“Dua të theksoj sjelljen tonë përballë atij lloj agresioni dhe provokimi. Lojtarët tanë e ruajtën gjithmonë qetësinë dhe u sollën si profesionistë të vërtetë”, shtoi ai.
Sipas nenit 14 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, nëse një lojtar shpallet fajtor për sjellje të dhunshme, ai do të dënohet me një pezullim minimal prej tre ndeshjesh.
I njëjti dënim prej tre ndeshjesh vlen edhe për raste të “sulmit fizik, përfshirë goditjen me bërryl, grusht, shqelm, kafshim, pështyrje ose goditje ndaj një kundërshtari apo një personi tjetër që nuk është zyrtar i ndeshjes”.
Gjithashtu, edhe Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) mund të përballet me sanksione nëse konstatohet se “një përfaqësuese kombëtare ose klub është sjellë në mënyrë të papërshtatshme”.
Përveç pezullimeve, lojtarët dhe zyrtarët mund të gjobiten nëse shpallen fajtorë për ndonjërën nga shkeljet e lartpërmendura, ndërsa FIFA rezervon të drejtën të vendosë masa të tjera disiplinore nëse e konsideron të nevojshme.














