Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka komentuar refuzimin e kërkesës së kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj për bashkëpunim politik para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Lushtaku ka deklaruar se Limaj do t’i sillte vota PDK-së dhe se ai kishte kërkuar publikisht unifikim mes dy subjekteve politike.
“Unë besoj që Limaj do të sillte vota në PDK, kjo nuk ka dyshim. Prandaj edhe kam kërkuar publikisht që të ketë unifikim. Kam kërkuar që të forcohet PDK-ja dhe të bëhet shkrirje, jo koalicion, sepse as unë nuk kam qenë për koalicion, por kam kërkuar që të ketë shkrirje”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka shtuar se një bashkim i tillë do ta forconte PDK-në edhe në nivel lokal, duke përmendur Malishevën si komunë ku ndikimi i Nismës është i madh.
Sipas tij, elektorati i PDK-së dhe ai i Nismës Socialdemokrate kanë vlera të afërta dhe bashkëpunimi mes tyre do të ishte i natyrshëm.
“Shtrati i votuesve të PDK-së dhe ai i votuesve të Nismës është një shtrat i afërt me vlera të përbashkëta. Nëse dimë t’i afrojmë ata dhe t’iu japim mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të tregojmë se jemi bashkë në çdo hap, atëherë e kalojmë këtë proces me sukses”, është shprehur ai.
Lushtaku gjithashtu ka vlerësuar se PDK-ja ka nevojë për ndryshime të brendshme, duke theksuar mungesën e zgjedhjeve të brendshme në parti.
“Ka nevojë për ndryshime brenda PDK-së, pasi që nga viti 2019 nuk janë mbajtur zgjedhje të brendshme. Besoj se duhej të mbaheshin të paktën pas shkurtit 2025”, ka thënë ai.














