
Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, inicioi mocion mos-besimi ndaj Qeverisë Kurti.Ky mocion nuk gjeti mbështetje gjatë 3 muajve për t’u jetësuar por si duket po punohet sërish në atë drejtim.
Kështu të paktën ka deklaruar deputetja e këtij subjekti politik Albana Bytyqi.“Po, është e vërtetë që e kemi nis, por ajo ç’ka është më e rëndësishme është se në në shtator po vazhdojmë të punojmë dhe ta shohim si po funksionon” deklaroi ajo.
Në lidhje me mocionin e iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka folur për “Gazeta Blic” profesori universitar, Fadil Maloku.Maloku tha se AAK-ja po bën deklarime të tilla për të mirmbajtur frymën e vet në skenën politike dhe se është më tepër një lloj folklori.
“Unë mendoj se AAK-ja i ka këto deklarime për ta mirmbajtur frymën e vet në skenën politike kosovare. Për mendimin tim është më tepër një lloj folklori për ta mirmbajtur prezencën e vet në skenën politike. Mendimi im është që opozita sa më shumë që e sulmon Qeverinë pa argumenta, pa një alibi politike, pa një kauzë të lartë dhe të besueshme nga publiku vetëm sa i shërben ngritjes së mëtejme të Qeverisë. Në këtë kontekst unë mendoj se kjo është më tepër një matje e pulsit që ajo e bën për vetveten për ta parë se ku është në skenën politike” tha Maloku.
Ai tutje shtoi se argumentat duhet të jenë të fuqishme kur të kritikohet Qeveria dhe se duhet të ketë një kauzë.
“Mendoj se argumentet kur të kritikohet Qeveria duhet të jenë shumë të fuqishme, të argumentura dhe mbi të gjitha duhet të jenë një lloj kauze e fuqishme e cila e zbeh dhe mundohet ta kontestojë në hap të cilat i ndërmerr Qeveria” deklaroi ai.
Kryetari i AAK-së kur bëri të ditur para qytetarëve mocionin e mosbesimit pati deklaruar se zgjidhja e vetme është nisja e mocionit për Qeverinë Kurti, ngase ai ka shkuar në ekstrem.
“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA dhe BE. Do të fillojmë diskutimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunoj me ShBA, ka bërë një plan të vetin, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën po ka nxit një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë” deklaroi Haradinaj muaj më parë raporton Gazeta Blic.












