
Me anë të një postimi në Facebook, Ministri i Mbrojtjes , Ejup Maqedonci ka shkruar se nga takimi u sigurua që bashkëpunimi i deritanishëm në mes Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka takuar atasheun e mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Kolonel Çağdaş Akif Kahraman.
Me anë të një postimi në Facebook, Maqedonci ka shkruar se nga takimi u sigurua që bashkëpunimi i deritanishëm në mes Kosovës dhe Turqisë të vazhdojë për përmbushjen e planeve bilaterale në mes dy vendeve.
“Turqia është njëri ndër shtetet aleate të Republikës së Kosovës, dhe gjatë takimi që zhvillova sot me atasheun e mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Kolonel Çağdaş Akif Kahraman u sigurova se ky bashkëpunim i shkëlqyer do të vazhdoj për të përmbushur planin bilateral dhe synimin e Ministrisë së Mbrojtjes në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe partneritetit ndërmjet të dyja shteteve”, ka shkruar Maqedonci.
Ndryshe, ishte e diela e 16 korrikut kur arma më e rëndë që e posedon Kosova u bënë dronët Bayraktar TB-2.
Me shpejtësi rreth 220 kilometra në orë, droni turk në qiell mund të fluturojë mbi 27 orë pa ndërprerë.
Sa dronë i ka blerë Kosova nga Turqia nuk dihet, por “Bayraktar-i“ turk, është prezantuar zyrtarisht në njërën nga bazat e FSK-së.
Ardhja e dronëve “Bayraktar” në Kosovë ishte rezultat i një marrëveshjeje dhe jo një donacioni, ka deklaruar Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.












