Drejtuar nga nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, drejtorët e drejtorive komunale, kanë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.
Fillimisht në këtë mbledhje, drejtoresha për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Igballe Islami, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me përfundimin e dëgjimeve buxhetore me të gjithë drejtorët e drejtorive komunale për planifikimin e buxhetit për vitin 2022, i cili duhet të jetë brenda kornizave dhe kufijve buxhetorë, të përcaktuar nga Qarkoret Buxhetore.
Siç njofton Komuna, drejtoresha Islami, theksoj se DFZHE ka pranuar njoftim zyrtar nga MFPT lidhur me përgatitjen dhe dorëzimin e planeve të rrjedhës se parasë për vitin 2022, ku këtë vit do të fillohet me implementimin e reformës në menaxhimin e rrjedhës së parasë, e financuar me grant nga Banka Botërore.
Më tutje nga drejtoresha Islami, u bë e ditur se kanë filluar përgatitjet e planit për inkasimin e të hyrave vetanake, ku ka kërkuar nga drejtorët komunal që të japin angazhimin e tyre maksimal në rritjen e inkasimit të të hyrave vetanake. Me theks të veçantë nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Drejtoria e Planifikimit dhe Urbanizmit, Drejtoria e Administratës si dhe Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë.
Gjithashtu Bordi në mbledhjen e sotme, diskutoi edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, ku pati edhe propozime të ndryshme që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të funksionimit në secilën drejtori dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.












