
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së veriut sot mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme, ku miratoi me unanimitet pikën e vetme të rendit të ditës që ishte ‘Vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për familjet e prekura nga vërshimet e datës 19.01.2023 në komunën e Mitrovicës së veriut”, raporton gazetari i VeriuInfo nga mbledhja e Kuvendit.
Në bazë të këtij vendimi secilës familje që iu është dëmtuar shtëpia nga vërshimet do t’i ndahen 2 500 euro, atyre që iu kanë dëmtuar bodrumet do t’iu ndahen nga 1 000 euro, ndërsa bizneseve të prekura nga vërshimet do t’iu ndahen nga 500 euro.
Sipas parashikimeve të bazuara në kërkesat e qytetarëve, shuma totale që pritet t’iu ndahet qytetarëve si ndihmë për dëmet nga vërshimet në bazë të këtij vendimi sillet rreth 200 mijë euro.
Kjo mbledhje është mbajtur pas shumë kërkesave të qytetarëve për ndihmë, të cilët më 10 gusht kishin protestuar para komunës të Mitrovicës së veriut për shkak të, siç thonin, injorimit të kërkesave të tyre, por që pas protestës ishin pritur në takim nga nënkryetarja e komunës që vjen nga komuniteti serb, Katerina Axhançiq, dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Uglanin, përderisa në takim nuk kishte marrë pjesë kryetari Erden Atiq./Veriu.info













