
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka folur për takimin që ka pasur sot në Beograd me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.
Me anë të një postimi në Twitter, ai ka thënë se Daçiq i është ankuar atij duke i shprehur “shqetësim” për çështjen e votimit të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e organizuar nga Beogradi.
“Sot në mëngjes, Escobar dhe unë u takuam me kryeparlamentarin Ivica Dacic. E vlerësova rolin e tij të rëndësishëm në përfaqësimin e Serbisë në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja në të kaluarën. Ai përcolli shqetësimet e tij për gjetjen e një marrëveshjeje për serbët e Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet serbe”, ka shkruar Lajçak.
Lajçak e Escobar përveç me Daçiqin janë takuar edhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, si dhe presidentin, Aleksander Vuçiq.
Por ky i fundit ka zgjedhur që pas takimit të injorojë praninë e dy emisarëve, duke udhëtuar kështu për në Kinë.












