Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Jakup Krasniqit kanë njoftuar që si pjesë e paraqitjes së provave të tyre, synojnë t’i thërrasin 17 dëshmitarë.
12 dëshmitarë synon t’i thërrasë mbrojtja e Thaçit, e që parashtrimet për këtë pjesë i bëri përfaqësuesi i saj, avokati Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në këtë fazë, ne synojmë t’i thërrasim 12 dëshmitarë, prej të cilëve 11 do të presim që të japin dëshmi në sallën e gjyqit. Megjithatë, tani jemi në gjendje të konfirmojmë vetëm tre dëshmitarë. Një prej dëshmitarëve pritet të japë dëshmi viva-voce…Tani që po flasim kemi një dëshmitar. Një tjetër dëshmitar është nxjerrë që është dëshmitar sipas Rregullës 154. Tani dëshmitari tjetër që është nxjerrë është sipas Rregullës 153. Do të thoja që për pjesën më të madhe të tyre, në mos të themi për të gjithë dëshmitarët që ngelin, presim që të bëjmë kërkesa sipas Rregullës 154, por edhe kjo varet nga marrja e autorizimeve nga marrësi i informacionit apo dëshmitarëve”, tha Mishetiq.
Ndërsa, Aiden Ellis që përfaqëson Jakup Krasniqin, tha se ata synojnë të thërrasin vetëm pesë dëshmitarë.
“Janë pesë në tërësi. Dy prej të cilëve presim që të paraqiten sipas Rregullës 154. Dy sipas Rregullës 153 dhe një sipas Rregullës 155”, tha Ellis.
Në anën tjetër, Mishetiq tha se presin autorizimin për 30 dokumente sipas Rregullës 170. Tha se kanë dëshmitarë që i përkasin trajtimit në bazë të kësaj rregulle.
Ndryshe nga Mishetiq, Ellis tha se nuk kanë dëshmitar sipas kësaj rregulle, por disa pjesë të dokumenteve. Tha se bëhet fjalë për pesë dokumente për të cilat ende nuk kanë marrë autorizim.
Avokati Mishetiq shtoi se deklaratat që parashihen sipas Rregullës 145 e që duhej dhënë ZPS-së, tashmë e kanë bërë.