Rregulli 130 parasheh rrëzimin e akuzave në kuadër të Rregullores së Gjykatës Speciale. Paneli gjyqësor në krye me Charles Smith në rastin Thaçi dhe të tjerët shqyrtoi kërkesën e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK’së që, sipas rregullës 130, të rishqyrtojë aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Konkretisht kohëzgjatjen e “konfliktit të armatosur”. Megjithatë, Smith tha se kjo s’i jep kompetencë për të rrëzuar pjesë të veçanta të aktakuzës.
“Trupi gjykues vëren se secila dhe të gjitha incidentet përkatëse që gjithashtu janë akuza në kuadrin e krimeve kundër njerëzimit të cilat, ndryshe nga krimet e luftës, nuk marrin parasysh ekzistencën e një konflikti të armatosur në kohën përkatëse. Për rrjedhojë, edhe në qoftë se do të konsideronte në themelësi dhe në qoftë se këto kundërshtime të mbrojtjes do të vlerësoheshin të suksesshme, mocioni i mbrojtjes nuk do të çonte në rrëzimin e asnjë prej pikave të aktakuzës“, ka thënë Smith.
“Ani pse aspektet e shpejtësisë janë të rëndësishme në këtë proces, ato në vetëvete nuk krijojnë një bazë ligjore të pavarur mbi bazën e së cilës trupi gjykues mund të shkojë përtej formulimit të qartë të rregullores“, ka vijuar ai.
Mbrojtja kishte kërkuar që të rrëzohej aktakuza nga trupi gjykues, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kishte arritur të dëshmojë për ekzistencën e një konflikti të armatosur nga marsi i 1998-ës dhe pas majit të 1999-ës, që përfshihen incidente të supozuara në aktakuzë.
“Trupi gjykues nuk është bindur që ai ka autoritet sipas rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave në qoftë se për shkaqe koha apo çështje të tjera. Në këtë bazë, trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas rregullës 130 në tërësinë e vetë“, përfundoi ai.
Pas vendimit të panelit të gjyqtarëve në Hagë, ka reaguar avokati Ardian Bajraktari. Ai ka publikuar Rregullën 130 të rregullores së Speciales, ku pika katër e kësaj rregullore specifikon se “mbrojtja s’ka të drejtë të apelojë vendime që refuzojnë kërkesa për rrëzimin e aktakuzës“.
Bajraktari, kësisoj, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ e ka vlerësuar si jo-objektiv vendimin e trupit gjykues, duke thënë se mënyra se si funksionon Gjykata Speciale “lë hapësira të mëdha për dyshime”.
“Trupi Gjykues dështoi për t’u dëshmuar objektiv! Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të palës mbrojtëse e cila i referohet kohëzgjatjes së konfliktit të armatosur (luftës), në çështjen ndaj ish krerëve të UÇK-së, është dështim i Trupit Gjykues dhe i Gjykatës për t’u dëshmuar objektiv duke e rrënuar kështu edhe më shumë besimin e publikut në drejtësi“, shkruan ai.
“Koncepti dhe mënyra se si funksionin kjo Gjykatë, lë hapësira të mëdha për dyshime, megjithatë ende ka shpresë, nëse ka drejtësi, faza pasuese është vendimtare për palën mbrojtëse! Duam drejtësi!”, përfundon shkrimi i tij.
Në seancën e sotme do të fillojë edhe dëshmia e dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.