
Liria e Kosovës padyshim se është e lidhur ngushtë me emrin e komandantit legjendar, Adem Jashari. Adem Jashari ishte Kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK’së).
Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmorë më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë sulmit në Prekaz. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Ndërkaq sot bëhen 24 vjet që nga sulmi i dytë nga forcat serbe ndaj familjes Jashari.
Në atë ditë të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.
Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.
Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin.
Në ditë të dalluara e festa të rëndësishme për vendin jo rrallëherë publikohen pamje të tij.
Fotografitë e rralla të Adem Jasharit ua sjellim në 24 vjetorin e sulmit të dytë në familjen Jashari.


















