Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, thotë se çështjet e sigurisë kombëtare duhet të jenë jashtë betejave politike.
Gashi në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se deklaratat për meritën e blerjeve të raketave “Javelin”, mund të jenë të dëmshme për interesat kombëtare të Kosovës.
“Çështjet e sigurisë kombëtare duhet të jenë jashtë betejave politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për furnizime ushtarake të klasifikuara si “top sekret.” Kujdesi për reputacionin e Kosovës si partner i besueshëm në këtë fushë është thelbësor. Këto deklaratat mund të jenë të dëmshme për interesat kombëtare të Kosovës”, tha Gashi.
Tutje ai thotë se vëmendja duhet të përqendrohet tek cilësia e qeverisjes dhe jo tek retorika e luftës.
“Cikli i porosive ushtarake kalon nëpër shumë qeveri dhe insistoj që vemendja të përqendrohet te cilësia e qeverisjes, jo retorika e luftës”, shtoi ai.
Gashi thotë se prioriteti i një qeverie të përgjegjshme është që ta sigurojë paqen dhe të parandaloj luftën dhe në rast nevoje edhe ta fitojë atë.
“Prioriteti i një qeverie të përgjegjshme është të sigurojë paqen dhe të ndërtojë aleancat dhe kapacitetet për të parandaluar, dhe në rast nevoje, fituar luftën”, përfundoi Gashi.











