Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zyrtatrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Leotrim Gashi.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ai dyshohet për marrje të ryshfetit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit L.G. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftim.
Gashi i cili është edhe këngëtar i muzikës tallava, është arrestuar para dy ditësh pas ka kërkuar dhe pranuar ryshfet shumën e të hollave prej mijëra eurosh, nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve të ndara nga Ministria përkatëse.
Policia e Kosovës ka njoftuar se shuma që i njëjti ka marrë ryshfet nga dy bizneset është afër 6 mijë euro.
Gashi i cili është djali i asambleistit të listës së Bekim Jasharit, Azem Gashit, është ndaluar për 48 orë.













