95 miliardë dollarë në lojë për të fituar garën e inteligjencës artificiale. Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram po ndërmerr një nga operacionet më të mëdha të financimit për të zgjeruar infrastrukturën e IA-së, në një betejë ku teknologjia e së ardhmes po kushton gjithnjë e më shtrenjtë.
Objektivi është i qartë: më shumë fuqi kompjuterike, qendra gjigante të të dhënave dhe kapacitete për të konkurruar me rivalët OpenAI dhe Anthropic.
Kompania ka nisur oferta aksionesh me vlerë rreth 35 miliardë dollarë ndërsa planifikon të sigurojë deri në 60 miliardë dollarë të tjerë përmes shitjes së aksioneve. Në këtë operacion kanë shfaqur interes edhe gjigantët e industrisë së çipave Nvidia, AMD dhe Broadcom, të cilët mund të blejnë aksione të Metës me vlerë deri në 5 miliardë dollarë.
Por ambicia teknologjike shoqërohet me një faturë marramendëse. Meta pret të shpenzojë deri në 145 miliardë dollarë vetëm për investime kapitale gjatë këtij viti ndërsa planet e saj afatgjata për infrastrukturën dhe inteligjencën artificiale arrijnë në përmasa edhe më të mëdha. Shifrat tregojnë se kompanitë e teknologjisë po hyjnë në një fazë ku avantazhi konkurrues kërkon investime gjigante dhe burime të vazhdueshme financimi.
Presioni po reflektohet edhe në flukset financiare: Meta regjistroi një dalje neto parash prej 2.12 miliardë dollarësh në tremujorin e tretë, pavarësisht se të ardhurat arritën në 64.6 miliardë dollarë mbi pritshmëritë e tregut. Basti i Metës është i madh: të investojë sot shuma rekord për të mos mbetur pas nesër. Rezultati i kësaj gare mund të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e kompanisë por edhe ekuilibrat mes liderëve të teknologjisë globale.
















