Ish-deputeti, njëherësh gazetari Milaim Zeka, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Zeka tha se një marrëveshje e tillë e ka brenda Asociacionin e Komunave serbe.
Ai tutje tregoi se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për konfliktin shqiptaro-serb.
“Marrëveshja e arritur në Ohër e ka brenda Asociacionin e komunave serbe. Unë kam gjithmonë idhtar që ka ekzistu vetëm një zgjidhje mes konfliktit shqiptaro-serb dhe ajo ka qenë ridezanjimi i kufijve ose shkëmbimi i territoreve që ne t’ia jepnin Serbisë territoret e veta Leshakun, Zubin-Potokun dhe Leposaviqin edhe të merrnim Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin”, thotë ai.
Zeka tha se Albin Kurti është fajtori numër një në krejt këtë situatë të disfavorshme për shqiptarët.
“Në krejt këtë situatë të disfavorshme për shqiptarët, Albin Kurti është fajtori numër një i cili ka refuzu çdo gjë që është arrit në vitet kur ai ishte në opozitë. Por për momentin unë mendoj se s’ka pas kurrfarë alternative tjetër”, tha Zeka për “Gazeta Blic”.
Ditën e nesërme në Kosovë pritet të mbahet protestë kundër marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht kundër formimit të Asociacionit.
Protesta është inicuar nga Partia Socialdemokrate dhe pritet të fillojë në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi ditën e sotme se marrëveshja e arritur në Ohër është jashtëzakonisht e dëmshme pasi Kurti me vullnetin e tij politik merr përsipër të formojë Asociacionin.
“Tashmë, 1 javë pas dakordimit në Ohër, po e kuptojmë qartë se çka lë të kuptojë Plani Evropian dhe Aneksi i Zbatimit. Në njërën anë, marrëveshja normalizon mosnjohjen në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe, me vullnetin politik të Kurtit, Kosova heq dorë nga kërkesa për njohje.Në anën tjetër, Kosova, me vullnetin politik të Kurtit, merr përsipër të krijojë Asociacion njëetnik me autonomi substanciale si formë e pushtetit paralel përballë pushtetit qendror. Marrëveshja është jashtëzakonisht e dëmshme. Prandaj rezistenca duhet të jetë e përbashkët e masive. Nesër, me 25 mars, protestojmë duke kërkuar dorëheqjen e Kurtit. Ky kryeministër nuk ka legjitimitet të nënshkruajë marrëveshje të tillë” shrkuan Molliqaj raporton Gazeta Blic.












